Në jahtin misterioz nga i cili u raportuan të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Palasë, ndodheshin emra të njohur të botës së biznesit në vend.
Mjeti lundrues, sipas burimeve për ZËRI-n rezulton të jetë në pronësi të Geront Çelës, pronar i “Brunes Group”.
Në bord, në momentin e ndalimit nga policia, ndodheshin katër persona, të cilët u identifikuan dhe u shoqëruan për verifikim. Dy prej tyre rezultojnë emra të njohur në fushën e biznesit.
Një emër, mesa duket aspak suprizë, është ai i Bruno Çelës, ortak dhe aksioner kryesorë i shoqërive të lidhura me “Brunes Group”. Kjo e fundit, kompani me të cilën siç cituam edhe më lart, lidhet edhe pronësia e jahtit ku ndodheshin personat e shoqëruar nga policia.
Personi tjetër është Pashk Gjini, i cili njihet me nofkën “El Chapo shqiptar”. Anton Gjinaj, i njohur edhe si Pashuk Gjini dhe Pashk Rrapi, është një biznesmen, emri i të cilit është përmendur ndër vite lidhur me hetime për trafik droge dhe çështje kriminale.
Çela dhe Gjini, ndodheshin në bordin e jahtit që u ndalua nga policia pas sinjalizimit për të shtëna me armë zjarri në det, përballë Palasës.
Sipas policisë, ata ndodheshin në bordin e jahtit së bashku edhe me dy persona të tjerë, të cilët u shoqëruan për verifikim. Policia njoftoi në një reagimin zyrtar se nga kontrolli i kryer në jaht dhe ndaj personave nuk zbuloi sende apo mjete të kundërligjshme.








