Mëngjesin e sotëm, fshati Zijaq është mbuluar nga një shtresë bore e parakohshme. Fotografitë nga terreni i ka dërguar Gazmend Xhema, i cili herët në mëngjes ka dalë për të parë nëse reshjet kanë shkaktuar dëme në arat e tij të mbjella me pemë, që shtrihen në një sipërfaqe prej afro 8 hektarësh.
Përveç shqetësimit për prodhimet bujqësore, Gazmendi tregon edhe për vështirësitë e përditshme me të cilat përballen banorët e zonës, për shkak të mungesës së një rruge të asfaltuar.
Ai bën thirrje që Komuna e Mitrovicës të marrë masa urgjente, pasi rruga është e paasfaltuar dhe në gjendje të rëndë, duke shkaktuar vështirësi sidomos gjatë stinës së dimrit.
“Kam kërkuar disa herë nga Komuna që rruga të paktën të shtrohet me zhavor, por kërkesat e mia nuk janë marrë parasysh,” shprehet Xhemaj, i shqetësuar se në këtë mënyrë fshati mbetet i izoluar sa herë që përkeqësohen kushtet atmosferike, por edhe për rrezikshmërinë e humbjes së biznesit, pemishtës së tyre. GazetaKosova.net











