Gazeta Financial Times zbuloi fillimisht se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë hartuar një draft të ri të një plani paqeje me 19 pika në Gjenevë, por pa çështjet më të diskutueshme për të cilat do të duhet të vendosin presidentët e të dy vendeve.
Për Zelenskyn, “çështja e koncesioneve territoriale mbetet problem”.
Ndër masat e hequra nga plani amerikan pas negociatave të Gjenevës me Ukrainën është përdorimi i aseteve të ngrira ruse për rindërtim. Të paktën kështu raporton Bloomberg.
Kjo ishte pika 14 e tekstit origjinal, përpara se 28 pikat të reduktoheshin në 19.
Ajo parashikonte investimin e 100 miliardë dollarëve në asete të ngrira në projekte të udhëhequra nga amerikanët, me SHBA-në që merrte 50% të fitimeve.
Propozime të tjera që deri më tani janë hequr nga lista mund të përfundojnë në dokumente të veçanta për negociata të mëtejshme, shpjegon agjencia amerikane.






