Pas paralajmërimit për bllokada, Veton Elshani nga Policia në Veri është shprehur se gjithçka është nën kontroll në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.
Ndër të tjera, Elshani tha se nëse protestuesit tentojnë të hyjnë në Kosovë, Policia është e gatshme për veprimet e mëtutjeshme.
“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashihet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë”.
Po ashtu, Elshani tha se nuk janë të nevojshme të shtohen forcat e KFOR-it, pasi sipas tij gjithçka është në rregull.
“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it pasi asgjë nuk do të ndodhë në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”, tha Elshani.











