Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer sot në një paralajmërim të ashpër kundër spekulantëve të tregut të naftës në kushtet e tensioneve ekstreme në Lindjen e Mesme. Përmes një mesazhi në Truth Social, ai ka kërcënuar drejtpërdrejt ata që, sipas tij, po përpiqen të përfitojnë nga kriza në rritje.
“Mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj! Po luani lojën e armikut. Mos e bëni!”, shkruan Trump, duke shënjestruar aktorët e tregut të zi të karburanteve që kanë filluar të manipulojnë çmimet në pritje të përshkallëzimit të luftës në rajon.
Këto deklarata vijnë në një moment kur tensionet në Gjirin Persik po arrijnë kulmin. Pas sulmit amerikan ndaj Teheranit, Irani ka kërcënuar seriozisht me mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit, arteria nga kalon mbi 30% e eksporteve globale të naftës. Lëvizje që, nëse zbatohet, rrezikon jo vetëm çmimet botërore por edhe një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake në rajon.
Në të njëjtën kohë, gjigantët ndërkombëtarë të energjisë Eni, BP dhe Total Energies kanë nisur tërheqjen e personelit të huaj nga fushat e naftës në Irak, një tjetër sinjal se kriza po përshkallëzohet. Largimi i stafit të specializuar tregon jo vetëm frikën për sigurinë, por edhe mungesën e besimit tek stabiliteti i rajonit në javët në vijim.
Trump ka urdhëruar gjithashtu Departamentin Amerikan të Energjisë të përshpejtojë shpimet për naftë dhe gaz, një sinjal se Uashingtoni po përgatitet për krizën afatshkurtër të furnizimit dhe po riorienton strategjinë e tij të brendshme energjetike.






