Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) po përballet me kritika të ashpra nga publiku pasi ka prezantuar një model dinamik çmimesh në platformën e saj të rishitjes, të ngjashëm me atë të kompanive ajrore, shkruan Time.
Ky sistem i diskutueshëm ka bërë që çmimi i një bilete për finalen e Kupës së Botës të arrijë deri në 11.5 milionë dollarë.
Ndërsa drejtuesit e FIFA-s e kanë justifikuar këtë si përpjekje për të luftuar tregun sekondar të biletave në SHBA, shoqatat e tifozëve dhe ekspertë ekonomikë e kanë cilësuar strategjinë si “lakmi” dhe “tradhti monumentale”.
Ekspertët paralajmërojnë se korporatizimi i sportit rrezikon të largojë tifozët e zakonshëm dhe t’i kthejë stadiumet në hapësira ekskluzive për VIP-a.
Megjithatë, kjo qasje po tregon tashmë shenja problemesh, pasi një numër i madh biletash raportohet se kanë mbetur të pashitura.
Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Hoteleve dhe Strehimit, edhe rezervimet turistike janë më të ulëta se parashikimet, duke reflektuar ndikimin e çmimeve të larta.
Deri në 80 për qind e të anketuarve në qytetet pritëse në SHBA kanë deklaruar se shkalla e mbushjes së kapaciteteve është nën pritjet fillestare.
Pavarësisht kritikave dhe sfidave financiare, ekspertët thonë se tifozët ende kërkojnë mënyra për të ndjekur kampionatin e ardhshëm, pavarësisht kostove të larta.










