Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka bërë të ditur se në mbledhjen e saj të sotme të kryesuar nga Myftiu Naim Tërnava, ka shpallur mbështetje të fuqishme për marshin protestues cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
“Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime për popullin e Kosovës, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e BIK.
Për të shprehur qëndrimin e saj, Kryesia ka vendosur që hytbeja e xhumasë, që do të mbahen më 13 shkurt në të gjitha xhamitë e Kosovës, të kushtohet Ditës së Pavarësisë, 17 Shkurtit, dhe tema kryesore të jetë mbështetje për luftëtarët e lirisë.
Përveç kësaj, kryesia e BIK-ut ka shprehur mbështetje për deklaratën e Myftiut Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët kosovarë.
“Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim e tyre.










