Pas disa mandateve si kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha nuk do të jetë më kandidat për këtë pozitë në zgjedhjet e 12 tetorit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi të martën ku njofton edhe kandidaturën e Besnik Osmanit si pasues të Berishës.
I pari i LDK-së këtë e bëri nëpërmjet një postimi në Facebook, përmes të cilit tha se me besim të plotë dhe krenari, shpallën kandidaturën e Besnik Osmanit për kryetar të komunës.
“LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje. Dhe kjo familje sot dha një dëshmi të rrallë bashkimi dhe kalimi të përgjegjësisë, nga një fitues – te një tjetër”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku falënderoi kryetarin e deritashëm të Fushë Kosovës, BurimBerishën, njeriun që për 25 vjet, me 5 mandate si i zgjedhur, i dha kësaj komune një drejtim të qetë, vizionar e të përgjegjshëm, ku është shndërruar në një ikonë fitoresh, sepse, sipas tij, nga një paralagje, qytezë fushash, ai transformoj Fushë Kosovën në qytetin me ritmin më të lartë zhvillimor në Kosovë.
“Por historia e mirë e LDK-së në Fushë Kosovë nuk përfundon këtu. Përkundrazi, vazhdon. Sot, me besim të plotë dhe krenari, shpallëm kandidaturën e Besnik Osmanit për Kryetar të Komunës. Ai është vazhdimësia jonë – një njeri i përkushtuar, i matur, me përvojë konkrete në qeverisje dhe vizion të qartë për të ardhmen”, ka theksuar Abdixhiku.
LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje. Dhe kjo familje sot dha një dëshmi të rrallë bashkimi dhe kalimi të përgjegjësisë, nga një fitues – te një tjetër.






