Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka deklaruar se është i gatshëm të votojë çdo kandidat për kryetar të Kuvendit që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se, sipas tij, të gjithë janë të njëjtë.
Para rifillimit të seancës konstituive të Kuvendit, Berisha theksoi se nuk sheh ndonjë dallim mes emrave që mund të propozojë VV-ja, ndaj nuk ka asnjë preferencë specifike.
“Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë. Nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, po qitja cili të jetë – se të njëjtë janë”, u shpreh ai për mediat.
Berisha shtoi se partitë duhet të tregojnë vullnet për të dalë nga situata aktuale politike dhe të ecin përpara me konstituimin e institucioneve.






