Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu – Kamishi, ka njoftuar se do të rikandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026, duke garuar me numrin 109 në listën e PDK-së.
Përmes një postimi, Haxhiu tha se kandidatura e tij vjen me kërkesën dhe mbështetjen e qytetarëve, si dhe të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai i cilësoi zgjedhjet e ardhshme si vendimtare për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se vendi, sipas tij, po përballet me stagnim dhe anarki nga pushteti aktual.
“Është koha që secili prej nesh të angazhohet për ndryshimin që i duhet Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Në mesazhin e tij, ai rikujtoi se në zgjedhjet e fundit kishte mbetur jashtë Kuvendit për një numër të vogël votash, ndërsa shprehu besimin se kësaj radhe do të sigurojë përfaqësim në institucionin ligjvënës.
Haxhiu gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë PDK-në dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, duke premtuar angazhim për zhvillim dhe kundërshtim të, siç tha ai, “degradimit të shtetit”.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor 2026.









