Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesën e tij për rinumërimin e votave preferenciale.
Haxhiu e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe me pasoja për besimin në procesin zgjedhor.
Sipas tij, ankesa është mbështetur në Raportin Zyrtar të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve, për të cilin ai pretendon se evidenton gabime në 38 komuna dhe një ndryshim prej 10.71 për qind të votave të PDK-së në mostrat e rinumëruara.
Haxhiu kundërshton edhe vlerësimin e Gjykatës se gabimet kanë qenë të izoluara, duke pretenduar se raporti zyrtar dëshmon se ato janë evidentuar në çdo komunë ku është bërë rinumërimi.
Ai gjithashtu akuzoi KQZ-në se nuk i ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat lidhur me ndryshimet e votave për secilin kandidat, duke e cilësuar këtë si shkelje të barazisë procedurale.
Kandidati i PDK-së theksoi se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që ka fituar mandat është 102 vota, ndërsa argumentoi se në një sistem me lista të hapura rëndësi ka shpërndarja e votave mes kandidatëve dhe jo vetëm rezultati i përgjithshëm i subjektit politik.
Sipas Haxhiut, certifikimi i rezultatit në këto rrethana cenon besimin në zgjedhje dhe krijon një precedent të rrezikshëm për proceset e ardhshme zgjedhore.
Ai paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese dhe të drejtës së qytetarëve që vota e tyre të numërohet saktë.








