Derisa në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të fillojë fjala përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu thotë se aty po tentohet që përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara nga Beogradit të rishkruhet historia.
Haxhiu thotë se sot më shumë se kurrë duhet një zë i fortë, unitet kombëtar dhe angazhim shtetëror.
“Sot fillon beteja vendimtare për të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara në Beograd, me synim që agresori të paraqitet si viktimë, e çlirimtarët si fajtorë. Kjo nuk është vetëm betejë ligjore, është betejë për drejtësi, të vërtetën e luftës tonë për liri dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare. Ajo u mbështet fuqishëm nga NATO. Ajo u bë për liri, për mbijetesë dhe për dinjitet njerëzor. Kjo e vërtetë nuk guxon të shtrembërohet nga propaganda dhe akuzat e rreme të Serbisë përmes dorës se zgjatur të prokurorisë në Hagë. Sot më shumë se kurrë duhet zë i fortë, unitet kombëtar dhe angazhim shtetëror, për viktimat për të zhdukurit shqiptar dhe për heronjtë që ranë për lirinë tonë. Liri për çlirimtarët. Drejtësi për luftën e drejtë të popullit të Kosovës. E vërteta nuk gjykohet, ajo mbrohet”, ka shkruar Haxhiu.








