Bekim Haxhiu kërkon transparencë nga KQZ: Pse nuk u publikuan ndryshimet e votave pas rinumërimit?

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mungesë transparence lidhur me rinumërimin e votave.


Ai ka kërkuar publikimin e të gjitha të dhënave që lidhen me ndryshimet në votat preferenciale të kandidatëve për deputetë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka obligim ligjor që procesin zgjedhor ta administrojë me transparencë, saktësi dhe llogaridhënie. Çdo votë duhet të numërohet dhe të regjistrohet ashtu siç është dhënë nga votuesi, sepse vullneti i qytetarëve është themeli i legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.


Ai ngriti katër pyetje kryesore për KQZ-në, duke kërkuar sqarime se pse nuk është publikuar raporti i plotë i Sekretariatit për rinumërimin e 28,699 votave të subjekteve politike, ku sipas tij janë evidentuar 2,831 vota preferenciale të kandidatëve të regjistruara gabimisht gjatë numërimit fillestar.

Po ashtu, Haxhiu pyeti pse nuk janë bërë publikë emrat e kandidatëve të cilëve u janë shtuar ose hequr vota pas rinumërimit, pse raporti nuk përmban tabela të detajuara me ndryshimet për secilin kandidat dhe pse një pasqyrë e plotë e këtyre ndryshimeve nuk i është dorëzuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Duke iu referuar raportit të Sekretariatit të KQZ-së, Haxhiu tha se nga rinumërimi janë konstatuar pasaktësi në regjistrimin e votave preferenciale për të gjitha subjektet kryesore politike.


Sipas tij, për Lëvizjen Vetëvendosje janë evidentuar 1,066 vota të regjistruara gabimisht nga 9,957 vota të rinumëruara, për PDK-në 557 vota nga 5,201, për LDK-në 563 vota nga 4,267 dhe për AAK-në 232 vota nga 2,092 vota të rinumëruara.

Në total, ai tha se nga 28,699 vota të rinumëruara janë identifikuar 2,831 vota preferenciale të kandidatëve të regjistruara me pasaktësi gjatë numërimit fillestar.


“Besimi në procesin zgjedhor nuk ndërtohet me interpretime, por me transparencë, rinumërim dhe saktësi të plotë. Deputetët zgjidhen nga vota e qytetarëve, jo nga numëruesit apo nga gabimet në regjistrimin ose numërimin e votave. Prandaj, rezultati duhet të jetë i saktë. Çdo pasaktësi duhet të verifikohet dhe të eliminohet plotësisht përpara certifikimit të rezultatit zgjedhor”, ka deklaruar Haxhiu.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit