Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ashpër ka për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit, duke vlerësuar se veprimi ka ndodhur në kohën kur banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit ligjor 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc.
Në një reagim publik, BE-ja tha se është “e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve që të ndalin menjëherë veprime të ngjashme derisa të trajtohen të gjitha çështjet ligjore.
“BE-ja bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thuhet në reagim.
Sipas Zyrës së BE-së, autoritetet duhet të angazhohen pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjin.
“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”, theksohet në njoftim.
BE-ja ka ngritur shqetësime edhe për përfshirjen e Policisë së Kosovës në operacione të tilla, duke nënvizuar se “roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”.








