Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka komentuar qëndrimin e Gjykatës Speciale karshi Ligjit të Dhomave të Specializuara, të miratuar në lexim të dytë mbrëmë.
Zëdhënësi i Dhomave të Speclializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë se Specialja nuk është konsultuar sa i përket ndryshimeve dhe ka thënë se si Gjykatë do të jenë të fokusuar për përmbushjen e mandatit.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) nuk janë konsultuar. Për momentin nuk kemi ndonjë koment. Dhomat e Specializuara janë tërësisht të fokusuara në zbatimin e mandatit të tyre për të garantuar procese gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, ka deklaruar Doyle.
Lidhur me këtë çështje, deputeti Behrami ka deklaruar se nëse Gjykata Speciale refuzon implementimin e ligjit të ri, atëherë protestuesit duhet të barten, siç u shpreh ai, në Bruksel e Fushë Kosovë.
“Sapo ligji të hyjë në fuqi, institucionet e Kosovës duhet ta njoftojnë Gjykatën Speciale për mandatin e ri, bazuar në ndryshimet ligjore. Nëse, për çfarëdo arsyeje, Gjykata Speciale i bën bisht implementimit, sheshi duhet të bartet në Bruksel, në Fushë Kosovë, te EULEX-i dhe te ndërtesa e BE-së”, deklaroi Behrami.








