Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili në një intervistë për një medium serb deklaroi ndër të tjera se kryeministri Albin Kurti kinse i kishte thënë se dhënia e tokës së Manastirit të Deçanit po bëhet për hatër të tij.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, u citua duke thënë Rashiq.
Për këtë deklaratë, Behrami ka thënë se Kurti për hatër të Rashiqit iu dha serbëve të veriut autonomi territoriale përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe ia dha 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
“A kur Rrahman Jashari i SBASHK-ut ia kërkonte: “ndihmom si vëlla”, Albini e refuzonte! Rashiçin e trajton si vëlla, e Rrahman Jasharin si…”, përmbyll shkrimin Behrami.








