Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pasi në seancën e sotme gjyqësore kundër Naim Murselit, i akuzuar si organizator i vrasjes së ish-bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, u përmend një kontratë borxhi mes tij dhe Murselit.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka sqaruar rrethanat e kredisë dhe mënyrën e kompensimit të saj.
Ai bëri të ditur se në seancë është diskutuar për një kredi të garantuar nga ai për familjen Murseli, në kohën kur Liridona dhe Naimi kishin blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera.
Sipas Pacollit, nga kjo kredi familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12 mijë euro. Ndërkaq, pjesa tjetër, sipas tij, është kompensuar përmes punëve që Naim Murseli ka kryer në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, Fondacionit BP dhe disa platformave në rrjetet sociale.
“ Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi, por nga ana ime nuk ka pasur asnjë trysni për ndonjë kthim urgjent”, ka deklaruar Pacolli.










