Kandidati për kryeministër thekson rëndësinë e bashkimit politik dhe paralajmëron kthimin e drejtuesve të PDK-së në vitin 2026.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka hapur fjalimin e tij në tubimin e sotëm ku pritet të prezantohet programi qeverisës i partisë. Në adresimin e tij para të pranishmëve, Hamza theksoi se vizioni i PDK-së mbështetet në unitet dhe në ecjen e përbashkët drejt zhvillimit.
“Bashkë. Përpara. Bashkë do të ecim përpara. Ky është drejtimi ynë. Ky është misioni ynë. Bashkimi rreth vlerave, premtimeve dhe politik është pjesa që mungon në mozaikun e Kosovës. Shteti përparon duke u bashkuar, jo duke u përçarë. Në Kosovë mund të bëhet më mirë vetëm me ne, të bashkuar,” u shpreh Hamza.
Ai rikujtoi se viti 2025 ishte një vit i përçarjeve politike, si dhe viti i pestë pa ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputetin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin në Kosovë.
Hamza deklaroi se pret që në vitin 2026 drejtuesit e PDK-së të kthehen pranë familjeve të tyre dhe në shtetin e Kosovës, duke e përmbyllur fjalimin me mesazhin e shpresës dhe bashkimit.






