Një zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje.
Në përgjigjen e BE-së theksohet se “Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale”.
Më pas përmendet se “personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin para gjykatësve të pavarur të apelit në një Panel Apeli të veçantë”.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve, në Kosovë dhe në rajon, që të tregojnë përmbajtje. DHSK-ja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësisë duhet t’i lejohet të ndjekë rrugën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha BE.
Tutje në përgjigje thuhet se “BE-ja rikujton mbështetjen e saj të vazhdueshme për DHSK-në si një institucion i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës. Puna e tij është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies dhe dhënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, duke kontribuar kështu në pajtim. Mbetet thelbësore të promovohet një mjedis i lirë nga frikësimi, frika dhe hakmarrjet, si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët”.








