Një nga lajmet kryesore të samitit të fundit në Alaskë është se presidenti rus Vladimir Putin po sinjalizon gatishmëri për të ngrirë luftën në Ukrainë përgjatë vijës aktuale të frontit, me kusht që Kievi të dorëzojë pjesën e mbetur të rajonit të Donetskut. Ky propozim, i papranueshëm për Ukrainën, hedh dritë mbi peshën strategjike dhe politike të kësaj zone që prej më shumë se një dekade është epiqendra e konfliktit.
Aktualisht, Rusia mban nën kontroll rreth 70% të territorit të Donetskut, përfshirë kryeqendrën e rajonit me të njëjtin emër. Megjithatë, Ukraina vijon të kontrollojë rreth 6,600 kilometra katrorë në pjesën perëndimore, ku jetojnë ende rreth 250 mijë banorë. Qytetet Kramatorsk, Sloviansk, Kostyantynivka dhe Druzhkivka mbeten blloqe të forta të mbrojtjes ukrainase.
Zona është pjesë e Donbasit industrial, një rajon dikur i pasur me burime natyrore dhe industri të rëndë, por tashmë i shkatërruar nga lufta. Sidoqoftë, për Kievin, rëndësia e Donetskut nuk është vetëm ekonomike, por mbi të gjitha ushtarake.

Sipas Institutit amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Ukraina ka kaluar mbi një dekadë duke ndërtuar atë që quhet “brezi fortifikues” në perëndim të Donetskut – një linjë e gjatë 50 km e përbërë nga llogore, bunkerë, fusha me mina dhe pengesa kundër tankeve. Kjo është kthyer në një bastion të mbijetesës, që e bën shumë të vështirë për rusët të përparojnë drejt brendësisë së vendit.
Në terren, topografia luan rol po aq vendimtar. Qyteti i Donetskut ndodhet në një zonë të ngritur, që i jep Rusisë avantazh të madh për vëzhgim dhe koordinim të artilerisë. Ndërkohë, Ukraina mbështetet te Chasiv Yar, një nga pikat e fundit të larta që mban nën kontroll. Humbja e saj do ta dobësonte seriozisht mbrojtjen ukrainase.
Për Rusinë, marrja e gjithë Donetskut do të përforconte pretendimin e saj (të pa njohur ndërkombëtarisht) mbi rajonin dhe do t’i kursente humbje të mëtejshme ushtarake. Për Ukrainën, dorëzimi i territorit do të ishte një goditje e dyfishtë: humbja e tokës dhe e një barriere kyçe kundër çdo sulmi të ardhshëm rus drejt brendësisë së vendit.

Analistët ushtarakë dyshojnë se edhe nëse Ukraina do të detyrohej të tërhiqej, rindërtimi i një linje të re mbrojtjeje më në perëndim do të ishte shumë i vështirë, si për shkak të terrenit më të pafavorshëm, ashtu edhe për shkak të kostos kohore dhe logjistike.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar prerazi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që kërkon dorëzimin e Donbasit. Ai paralajmëron se një marrëveshje e tillë do të shërbente vetëm si një “pushim i përkohshëm” për Moskën për t’u rigrupuar dhe për të nisur sulme të reja në të ardhmen.
Në këtë kontekst, Donetsku nuk është thjesht një copë tokë: është linja e parë e mbrojtjes së Ukrainës, një pengesë që përcakton jo vetëm fatin e luftës së tanishme, por edhe sigurinë e të gjithë shtetit në vitet që vijnë.










