Prokuroria Speciale tha se në bazë të një urdhri të saj, të aprovuar nga gjykata, ka zhbilluar të hënën një aksion mbi dyshimet rreth kontrabandimit me substanca narkotike.
Aksioni i Prokurorisë Speciale, i asistuar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, është zhvilluar në tri rajone, tha sot policia në një njoftim për media.
Prokuroria Speciale tha se urdhëresa ka përfshirë bastisje të cilat janë kryer në disa lokacione, “nën udhëheqjen e prokurorit të rastit të Prokurorisë Speciale”.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, në bazë të urdhrit të Gjykatave kompetente, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një aksion mbi dyshimet rreth kontrabandimit me substanca narkotike”, tha Prokuroria Speciale në një komunikatë për media.
Burime të informuara për aksionin thanë se pjesë e operacionit janë 500 oficerë policorë.
Disa persona të dyshuar për trafikim të narkotikëve janë arrestuar, mësoi Paparaci nga burime brenda policisë.
Hetimet penale ndaj këtij grupi të dyshuar kriminal përfshijnë prova të mbledhura nga platforma e komunikimeve të koduara Sky Ecc.
Aksioni i Prokurorisë Speciale është në vazhdim e sipër.
Specialja tha se për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës.








