Në hapje të fushatës për balotazh, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se si kryeministër nuk do të ndajë fonde për kryetarë komunash që, sipas tij, “nuk punojnë mirë apo vjedhin”.
“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën: një miliard euro investime nëpër komuna dhe për komunat. Por, ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave, për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë, apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk duan punën, e as ata që dinë e duan të vjedhin. Me ata nuk ka investime e as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës.”, tha Kurti.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime të menjëhershme nga kundërshtarët politikë.
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë qëndrim si “kërcënim shtetëror ndaj qytetarëve”.
“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie – janë pronë e popullit të Kosovës. Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral. Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik.”, ka shkruar Rama.
Ai shtoi se si kryetar i Prishtinës “nuk do të heshtë përballë një mentaliteti autokratik që ndan qytetarët në ‘tanët’ dhe ‘të tjerët’”.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi ndaj fjalëve të Kurtit, duke i cilësuar ato si përpjekje për bllokim politik.
“Nuk do t’iu vijë rendi të ndalni asgjë, nuk do t’iu vijë rendi të bllokoni më askënd. Me një Prishtinë që po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit. Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet e para dhe i jep përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokim e kërcënim për bllokim nuk ofron asgjë.”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagim ka pasur edhe nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e Kurtit, duke thënë se ai “kërcënoi hapur” qytetarët e vendit.
“Çfarë deklarate skandaloze nga kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si kryeministër nuk do t’i mbështesë. Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës. E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë. Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K., ti fole sonte. Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet.”, ka shkruar Çitaku.
(Përditësim – 08:00) – Tutje edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, reagoi ndaj kësaj deklarate, i cili tha që “qytetarët duhet të mendojnë mirë se kujt ia japin votën në balotazh, sepse nuk do të japim buxhet për ata që nuk dinë të punojnë.”
Limaj e cilësoi këtë deklaratë si një ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor.
Limaj theksoi se është e paqartë se si Kurti vlerëson se kush qeveris mirë dhe në çfarë baze mund të bëhen këto vlerësime, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të ndikuar në zgjedhje.
Ndër tjerash, ai e ftoi Kurtin të përmbahet nga këto deklarata.
“Zoti Kurti, unë dhe të tjerët kemi qenë kritikë të qeverive të kaluara që janë bojkotuar komunat që nuk i kanë takuar partisë që janë në qeveri. Ndërsa, katër vjetët e fundit kjo ka qenë normë e sjelljes. Në të gjitha komunat ku nuk ka qeverisur partia në pushtet, kanë qenë të anashkaluar, kanë bllokuar buxhetet. Kjo e sotit është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.”, tha Limaj në KlanKosova.
Ai shtoi se komunat janë pjesë e shtetit dhe nuk duhet të diskriminohen sipas përkatësisë politike. Limaj ftoi qytetarët që të votojnë me bindje të thellë dhe pa ndikimin e presioneve të jashtme, duke kërkuar që të trajtohen të gjitha komunat e Kosovës në mënyrë të barabartë.






