Deputetja Hykmete Bajrami ka akuzuar KESCO-n se po përjashton ndërmarrjet nga shërbimi universal në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike. Sipas saj, KESCO po aplikon kriteret e gabueshme për përjashtim, duke kërkuar që bizneset të plotësojnë të dy kriteret e ligjit, ndërkohë që ligji parashikon që përfitues të jenë ata që plotësojnë njërin prej tyre.
Bajrami tha: “KESCO është duke përjashtuar ndërmarrjet nga shërbimi universal – furnizim ky me energji elektrike me çmime të rregulluara nga ZRRE në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike, Nenin 37, paragrafi II. Sepse, Neni 37, paragrafi II thotë se për të qenë PËRFITUES i shërbimit universal duhet të përmbushësh njërin nga kriteret: OSE qarkullim nën 10 milionë Euro OSE biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë, ndërkohë KESCO po i përjashton të gjitha ndërmarrjet nëse nuk i përmbushin të dy këto kritere, gjë që nuk e kërkon Ligji“.
Ajo theksoi se sipas të dhënave të shoqatave ekonomike, vetëm rreth 300 kompani përmbushin kriteret për t’u përjashtuar, ndërsa aktualisht po përjashtohen rreth 1300.
“Sipas të dhënave të shoqatave ekonomike në vend, kriteret sipas Nenit 37, për të dalë në të ashtuquajturin ‘treg të hapur’ i plotësojnë vetëm 300 kompani, jo 1300 që po i përjashton ZRRE-ja“.
Deputetja paralajmëroi se si pasojë e këtij veprimi, KESCO do të përballet me qindra padi pas datës 1 qershor.
“Dallimi mes ‘OSE’ dhe ‘EDHE’ është dallim i madh në Ligj“, përfundoi ajo.






