Ish-ministrja e Financave e akuzon kryeministrin në detyrë për gënjeshtra mbi gjendjen ekonomike dhe sektoriale, si dhe për mbrojtje të figurave të përfshira në skandale.
Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të bëra gjatë intervistës së tij në Kanal 10, duke e akuzuar atë për gënjeshtra dhe dezinformim në lidhje me ekonominë, diplomacinë, arsimin dhe shëndetësinë, raporton GazetaBlic.
Bajrami kritikoi deklaratat e Kurtit për sektorin e energjisë, teksa theksoi se importet e energjisë kanë arritur shifrën prej 247 milionë euro vetëm këtë vit. Ajo përmendi edhe raste kur, sipas saj, transporti i një MWh energji ka kushtuar deri në 800 euro, ndërsa kompaninë EFT të Vuk Hamoviqit e cilësoi si monopoliste në kapacitetet transportuese ndërkufitare.
Në reagimin e saj, ajo e akuzoi Kurtin se ka marrë përgjegjësinë për “mijëra kontrata njëburimore” dhe për “vjedhjen e strukturuar të rezervave shtetërore”. Bajrami gjithashtu pretendoi se Kurti ka mbrojtur persona të përfshirë në skandale, duke përmendur tregtarin e energjisë Martin Berishaj dhe ish-zyrtarin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, ndërsa ka sulmuar drejtësinë.
Ajo tha se Kurti ka “gënjyer për çdo numër dhe për Gjykatën Kushtetuese”, duke shtuar se ai ka ricituar ish-ministrat dhe madje edhe vetveten gjatë paraqitjes në televizion.
Sipas Bajramit, “fundi politik” i Kurtit ka nisur më 9 shkurt dhe do të përfundojë më 28 dhjetor, duke shtuar se kryeministri në detyrë “është në panik, sepse kurrë më nuk do të jetë Kryeministër”.






