Agim Bahtiri, kandidat për deputet nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë tha se “situate e sigurisë në veri është në nivel më të lartë se ajo në Skënderaj.”, duke aluduar se njerëz të Sami Lushtakut, siç i quan ai, janë më të rrezikshëm se sa grupet terroriste serbe në veri.
Pas reagimit të madh të publikut, Bahtiri ka tentuar të arsyetohet, duke thënë se nuk e ka pasur fjalën, për Drenicën Legjendare.
Reagimi i tij:
Pas intervistës sime të dhënë sot në sheshin e veriut të Mitrovicës, kam parë që disa analistë e eksponentë politikë, të rreshtuar “me vesh në krahë” në këtë kohë parafushate, po mundohen me çdo kusht të keqpërdorin e të nxjerrin nga konteksti deklaratat e mia. Qëllimi i tyre është i qartë: sulmi i ulët ndaj meje dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Për të gjithë ata që duan ta kuptojnë të vërtetën, dhe jo manipulimin, po e bëj të qartë:
Drenica Legjendare është vlerë, grupet e interesit janë regres
Kur kam krahasuar situatën e sigurisë në Veri dhe në Skënderaj, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk e kam pasur fjalën për Drenicën Legjendare. Edhe të vdekurit në varre e dinë se ajo tokë është vetë historia e Kosovës dhe askush nuk mund ta përbuzë apo t’i ulë vlerën asaj.
Fjala ime ka qenë ekskluzivisht për situatën e rënduar që kanë sjellë disa grupe të caktuara interesi, të cilat rrahin njerëz në mes të ditës, në mes të sheshit, e madje edhe në prani të gjinisë femërore.
Kjo sjellje e pahijshme kurrë s’ka qenë traditë e shqiptarit. Edhe në kohërat më të rënda, kur shqiptarët kanë pasur hasmëri të tmerrshme mes vete, nëse tjetrit i zihej prita por ndodhej në shoqëri të gruas, nënës, motrës apo vajzës, ai lihej i lirë. E jo më, të përgjaket dhe të detyrohet të shtrihet në spital. Tradita jonë ka pasur kode dhe rregulla. Nuk e di nga u erdhi kjo “traditë” e re që të sulmohet shqiptari nga shqiptari në mes të ditës, për shkak të mllefeve të momentit e jo të arsyes.
Kjo nuk është rastësi. Më 27 janar të vitit të kaluar, pikërisht në Skënderaj, teksa mbanim tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, të njëjtat grupe na sulmonin me vezë e fishekzjarre, e na ndalnin rrymën vetëm për të na pamundësuar fjalën tonë. Por, nuk u ndalëm atëherë dhe nuk ndalemi as sot. Kosova duhet të ecë përpara dhe nuk mund të mbetet peng i atyre që për vite me radhë e kanë zhvatur këtë vend.
E kuptoj që për këto grupe, këto zgjedhje janë çështje “jetë a vdekje”, sepse po e shohin që me Qeverinë Kurti po u ndalen të gjitha përfitimet e paligjshme dhe faqet e zeza që ia kanë bërë Kosovës ndër vite.
Mos u mundoni kot të na shfaqni si njerëz që nuk e duan UÇK-në apo që mbjellin përçarje. Populli na njeh mirë. Ne i përulemi me krenari e respekt të përjetshëm UÇK-së, dhe synimi ynë si dje, si sot, si nesër mbetet i paprekur: UNITETI i këtij populli.
Agim Bahtiri









