Partisë Guxo i është bashkuar një emër i njohur nga Drenasi, avokati Gazmend Halilaj. Me një karrierë të pasur në shërbim të vendit, Halilaj sjell me vete përvojë, integritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj drejtësisë dhe interesit publik.
Gazmend Halilaj ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirim dhe për më shumë se një dekadë mbajti me nder uniformën e Policisë së Kosovës. Që nga viti 2015, ai vepron si avokat, duke qenë i njohur për përkushtimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit në vend.
Përkushtimi i tij për Kosovën, guximi për të mbrojtur të drejtën dhe përvoja në sistemin e drejtësisë, e bëjnë avokatin Halilaj një aset të çmuar për Partinë Guxo.
“Zëri i guximtarëve si Gazmend Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës,” thuhet në njoftimin e Guxo.
Partia i uron mirëseardhje avokatit Halilaj, duke e konsideruar angazhimin e tij si forcim të mëtejshëm të rrugëtimit për një Kosovë më të drejtë, të zhvilluar dhe demokratike.
Njoftimi i plotë:
Avokati Gazmend Halilaj në Guxo
Dera jonë, në Partinë Guxo, është gjithmonë e hapur për profesionistë, idealistë, patriotë, për njerëz t’mirë t’këtij vendi, prandaj jemi të lumtur që avokati i njohur nga Drenasi, Gazmend Halilaj, po na bashkangjitet në rrugën tonë për një Kosovë çdo herë më të mirë e më të përparuar.
Në përpjekje të përhershme për liri e pavarësi, si i ri Gazmend Halilaj iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimi i vendit e gjeti në uniformën e saj. Për 11 vjet, pastaj, ai mbajti me nder edhe uniformën e Policisë së Kosovës. Pas punës së ndershme, avancimit profesional e pas rezultateve të shkëlqyeshme në detyrën si zyrtar policor, por paralelisht edhe shkollimit superior e avancimit akademik në jurisprudencë, nga viti 2015, Gazmendi ka kaluar të punojë si avokat në sistemin e drejtësisë, aty ku vazhdon përpjekjet e tij të përhershme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e për drejtësi.
I shquar për integritetin e vendosmërinë, guximtar dhe idealist në bindje e qëndrime, avokati Halilaj i bashkohet Partisë Guxo në betejën e përjetshme për një Kosovë të lirë, sovrane, të zhvilluar, demokratike dhe një shtet ku triumfon, sundon e mbizotëron e drejta.
Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës.
Mirë se vjen Gazmend!








