spot_img
Friday, December 5, 2025
spot_img

Avokati akuzon: Rejhan Bela po mbahet jashtëligjshëm në burg

“Atë ditë që i ka përfundu paraburgimi, këta me letra menjëherë e kanë regjistru që ky është duke e vujtë masën, por e kanë majtë në të njëjtin vend, në burg, si i burgosur”.

Mbrojtësi ligjor i të akuzuarit për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika, Admir Salihu, ka ngritur shqetësime për shkelje të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut që Shërbimi Korrektues i Kosovës po i bën karshi Rejhan Belës.

“Është e padrejtë, janë duke ju shkelë të drejtat themelore të njeriut, sepse një i mitur që ka masë edukative e që duhet me nejtë në burg të hapur, është duke nejtë në burg. Kaq. Kjo është shkelje e ligjit, mos zbatim i ligjit për sanksionin penal, moszbatimi i aktgjykimit të gjykatës”, ka thënë Salihu për Klan Kosovën.

Rejhan Bela, para se të arrestohej më 20 maj të këtij viti, nën dyshimin se ishte i përfshirë në vrasjen e rreshterit të policisë nga Kaçaniku, Muhamet Lika, ai ishte në kërkim nga organet e rendit për të vuajtur masën edukuese prej dy vitesh, për veprën penale dhunim.

Këto shqetësime, të adresuara nga familja dhe avokati i Rejhan Belës, Klan Kosova i ka adresuar në Shërbimin korrektues të Kosovës.

Përmes postës elektronike, zyra për medie në SHKK, ka deklaruar se Bela është duke e vuajtur masën edukuese.

“Ju informojmë se i mituri me masë Edukuese korrektuese Rejhan Bela, është pranuar në Qendrën korrektuese në Lipjan sipas Aktvendimit PPRM NR. 55/2025 datë 21.04.2025 të Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për të Mitur dhe ka qëndruar në masën e paraburgimit nga data 21.04.2025 deri me datë 20.10.2025 kur edhe ka skaduar masa e paraburgimit e vazhduar sipas Aktvendimit PM.NR.92/2025 date 15.09.2025”, ka thënë për klan Kosova, Florent GASHI, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik, në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“I mituri, tani madhor Rejhan Bela ka pasur një lëndë në pritje për ekzekutimin e Masë Edukuese Korrektuese në kohëzgjatje prej dy vite sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore ne Ferizaj – Departamenti për të mitur me Nr. 2022:067387 datë 11.07.2022 nr. dokumentit 03260899 i plotfuqishëm me datë 18.09.2024 dhe urdhëresën për Ekzekutimin e Masës Edukuese Korrektuese me Nr. EDM.nr.97/2024 datë 18.tetor 2024.

Masa Edukative Korrektuese për veprën penale Dhunim ndaj të Miturit Rejhan Bela ka filluar të Ekzekutohet nga data. 20.10.2025”, ka vazhduar më tej Gashi, në përgjigje të pyetjeve të adresuara nga Klan Kosova.

Për të përfunduar se, “i mituri ndaj të cilit është shqiptuar Masa Edukuese Korrektuese, Rejhan Bela, është vlerësuar si i burgosur me rrezikshmëri të lartë, nga Komisioni për Kategorizim në nivel të Shërbimit Korrektues, duke marrë për bazë nivelin e rrezikshmërisë së përcaktuar është vlerësuar e nevojshme që i njëjti të vendosen përkohësisht në njësinë e veçantë në Qendrën Korrektuese për të Mitur”, ka përfunduar Gashi.

Avokati i Belës, Admir Salihu ka thënë se “ai është duke qëndru në pavionin e të dënuarve, nuk është tu qëndru në pavijonin e atyre që kanë masë edukative”.

“Unë mund t’i kupto këta që ai edhe mund të ikë prej asaj”, vazhdon më tej Salihu për Klan Kosovën, “se është më lehtë, por nuk funksionon në këtë logjikë. Ligji e përcakton qartë. Bile bile prej ditës kur ky ka hy në paraburgim, vazhdimisht kam kërku, meqë ky po rrin në paraburgim, me ju zëvendësu paraburgimi me dënimin. Por këta që nuk më kanë kthy kurrë përgjigje, deri s ai ka dalë afati i paraburgimit, sepse më shumë se 6 muaj të miturin s’mund ta mbajnë në paraburgim, atëherë e kanë qu në vuajtje, se qëllim kanë pasë mos me ja llogaritë këtë kohën e paraburgimit”.

Salihu akuzon SHKK-në se ky institucion u vonua për më shumë se një muaj që të fillojë aplikimin e masës edukuese ndaj Belës, edhe në këtë formë që është duke e vuajtur tani.

“E para, këtij kur ju ka kry masa e paraburgimit, këtij ju ka vonu një muaj deri sa e kanë kthy në masë, mos edhe më shumë se nuk e di saktë me ditë, sepse kam qenë me vizitu. E kanë mbajtë ku ka qenë duke e vujtë paraburgimi në Lipjan. Tash, ky e ka statusin e të burgosurit e nuk është i burgosur”.

Arsyetimin e SHKK-së ky e vlerëson paaftësi të organeve të sigurisë, gjë që po ndikon direkt në shkeljen e të drejtave të tij.

“Lehtë është komisioni me thënë është i rrezikshëm”, deklaron avokati Salihu, “shteti nuk mund në mungesë të kapaciteteve e me ua shkelë njerëzve të drejtat e njeriut, se ne po dojmë me zbatu ligjin. Ky është dënu me masë edukative për veprën e parë. Por në momentin kur ky është në vuajtje të masës edukative, ky duhet me nejtë në qendrën adekuate. Nuk mundet me nejtë dikun tjetër. Edhe nëse përbën rrezik, edhe nëse është i sëmurë, brenda atyre telave. Tash, rrezikshmëria është çështje e policisë, por nuk ish deshtë me u shkelë ligji për shkak se shteti nuk mund të sigurojë potencialisht që një person mundet me ikë nga burgu. Edhe kjo pjesë është në vazhdën e moskryerjes së punëve qysh duhet, qysh kanë ndodhë në rastin e policit”, vazhdoi më tej avokati Salihu.

Gjashtë personat e tjerë, përvec Rejhan Belës, të arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika ndodhen ende në paraburgim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka veçuar procedurën ndaj të miturit Rejhan Bela dhe ka propozuar dënimin e tij me burgim, duke e cilësuar si të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit. Për gjashtë të dyshuarit e tjerë, ende nuk është ngritur aktakuzë, ndonëse ata dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Në qendër të këtij rasti mbeten dy pamje të kamerave të sigurisë – të cilat, sipas raportit të Njësisë për Videoanalizë Forenzike, nuk mund të qartësohen dhe nuk mund të identifikohet personi që hyri e doli nga banesa e viktimës në momentin kritik. Si do ta vlerësojë Gjykata Themelore në Ferizaj mungesën e provës kyçe mbetet për t’u parë gjatë procesit gjyqësor.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit