Ish-kryeministri dhe Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Gjatë dëshmisë së tij, Hoti deklaroi se ministrat kanë pavarësi në nxjerrjen e udhëzimeve administrative brenda fushëveprimit të ministrive që drejtojnë.
“Ministri e ka pavarësinë e vet për udhëzimet administrative. Ne vetëm jemi konsultuar”, deklaroi Hoti para trupit gjykues.
Krasniqi po gjykohet nën akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me Udhëzimin Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, të miratuar më 11 nëntor 2020.
Sipas aktakuzës, Krasniqi, në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni dyshohet se i kishte tejkaluar kompetencat zyrtare gjatë inicimit, përgatitjes dhe miratimit të këtij udhëzimi.
Prokuroria pretendon se disa dispozita të udhëzimit ishin në dëm të interesit publik dhe në favor të kompanive private, ndërsa buxhetit të shtetit dyshohet se i ishte shkaktuar dëm në vlerë prej rreth 11 milionë eurosh.
Në të njëjtën çështje penale akuzohet edhe ish-ministri Endrit Shala. Të dy ngarkohen me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe më herët janë deklaruar të pafajshëm.
Udhëzimi Administrativ nr. 09/2020 përcaktonte mënyrën e kontrollit dhe të cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës.
Procesi gjyqësor po vazhdon me dëgjimin e dëshmisë së ish-kryeministrit Hoti, ndërsa pretendimet e Prokurorisë mbeten për t’u vërtetuar me vendim të formës së prerë.








