Gjykata e të Miturve në Bolonja ka dënuar me 17 vite burg adoleshentin 16-vjeçar, autor i vrasjes së rëndë të Aurora Tilës. 13-vjeçarja shqiptare humbi jetën më 25 tetor të vitit 2024, pasi u shty nga ballkoni nga i dashuri i saj në Piacenza.
Pas vendimit, motra e viktimës ka reaguar ashpër në rrjetet sociale.
“Vetëm 17 vite. Një jetë e tërë u shkatërrua. Ky m*t do të dalë nga burgu 30 vjeç dhe ka mundësinë të nisi një jetë të re. Motrën time nuk mund të ma rikthejë askush. Në djall ai dhe lloji i tij. Derra”, shkruan motra e Aurorës.
Ngjarja tronditëse nuk ishte aksidentale, pasi Tila u shty duke u rrëzuar për vdekje nga ballkoni i katit të 7-të në banesën e saj në Piacenza. Autori nuk pranonte ndarjen mes tyre. Në fillim, u dyshua për një aksident, por hetimet e mëvonshme zbuluan se pas vdekjes së saj qëndronte një akt dhune. Pasi u arrestua nën akuzën e vrasjes me dashje, fillimisht autori mohoi përfshirjen.
Sipas ekspertizës në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Pavias, dëmtimet në trupin e vajzës treguan qartë se ajo nuk ishte hedhur vetë, por ishte shtyrë. Kjo i shkaktoi fraktura të shumta, por goditjet fatale ishin ato në kokë, që i sollën vdekjen e menjëhershme. Në kyçet e duarve u gjetën shenja të forta, që dëshmonin përpjekjen për t’u kapur pas parmakut përpara se të binte.









