Administrata Tatimore e Kosovës thotë se janë arkëtuar 637.3 milionë euro në shtatë muajt e këtij viti, të cilat sipas këtij institucioni, shënojnë progres të vazhduar në qëndrueshmërinë fiskale të shtetit të Kosovës.
“Pra, kemi rritje prej 60.1 milionë euro apo 10.4% më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shifrat e reja tregojnë se qytetarët dhe bizneset janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për rolin që ka kontributi i tyre në financimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit ligjor”, thotë ATK.
ATK tha se është rezultat i një besimi të ndërsjellë që është ndërtuar me tatimpaguesit.
“Ky është rezultat i një pune ekipore, vizioni të qartë dhe një qasje moderne të shërbimit tatimore. Por mbi të gjitha, është rezultat i besimit të ndërsjellë që kemi ndërtuar me tatimpaguesit. Për ne, çdo euro e mbledhur është një hap drejt shtetit më funksional dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Përtej shifrave, ky progres i vazhdueshëm është reflektim i stabilitetit të politikave tatimore, profesionalizmit të stafit të ATK-së”, thuhet në njoftim.
“Menaxhmenti i lartë i ATK-së falënderon të gjithë kontribuuesit dhe mbetet i përkushtuar që përmes transparencës, efikasitetit dhe teknologjisë të rrisë më tej besueshmërinë dhe performancën e ATK-së”.








