Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur 524.1 milionë euro të hyra tatimore gjatë periudhës janar-qershor 2025, që përfaqëson një rritje prej 50.9 milionë euro apo 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këtë e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, gjatë një konference për media të enjten.
“Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 524.1 milionë euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 51 milionë euro apo 11%, në raport me vitin paraprak”, tha Murtezaj.
Drejtori Murtezaj theksoi se ATK po vazhdon gjithashtu me reformimin institucional, veçanërisht me reformën në procesin e fiskalizimit, e cila po kalon nga një sistem i bazuar në pajisje harduerike në një qasje softuerike moderne.
Kjo reformë është ndërmarrë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe mbështetjen financiare të UNDP-së, përmes zhvillimit të një aplikacioni të ri që synon të modernizojë mënyrën e fiskalizimit në Kosovë.
Murtezaj tha se ATK po e realizon vizionin e saj për t’u bërë e krahasueshme me administratat tatimore të vendeve të zhvilluara. Ai u mbështet në raportin e FMN-së (ISORA), i publikuar në janar 2025, i cili tregon se:
“Në 7 nga 8 indikatorët e performancës, Kosova qëndron më mirë se shumica e vendeve në zhvillim, përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Ndërsa në 5 nga këta 8 indikatorë, jemi në nivelin mesatar ose mbi mesataren e vendeve të zhvilluara, përfshirë ato të BE-së”.
Ai e quajti këtë një transformim të ATK-së nga një administratë e brishtë në një institucion modern dhe efikas, duke theksuar se kjo është në përputhje me Planin Strategjik 2022–2026 të institucionit.






