Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur një aksioni hetimor mbi transaksionet e automjeteve të biznesmenit Astrit Çitaku, i cili shërben si këshilltar i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Gazeta Insajderi ka siguruar dokumente zyrtare që dëshmon kërkesën e ATK-së për sigurimin e provave nga palët e treta. Derisa Prokuroria konfirmon zhvillimin e hetimeve, Çitaku mohon çdo parregullsi, ndonëse pranon se është kontaktuar nga ATK.
Administrata Tatimore e Kosovës ka vënë në shënjestër të hetimeve biznesmenin Astrit Çitaku dhe kompaninë e tij “EBA” SH.P.K. Sipas një kërkese për informata të datës 20 tetor 2025, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, Departamenti i Hetimeve Tatimore ka kërkuar qasje të plotë në dokumentacionin e shitblerjes së veturave për periudhën 2019-2024.
Në shkresën drejtuar subjektit “AUTO SHERRETI SH.P.K”, hetuesit tatimorë kanë kërkuar dëshmi specifike për transaksionet e kryera me Astrit Çitakun (si person fizik) dhe firmën e tij “EBA SH.P.K”. Kërkesa përfshin faturat e shitblerjes së veturave, kontratat e shitblerjes dhe dëshmitë e pagesave.
ATK ka kërkuar që këto të dhëna të specifikohen në detaje, duke përfshirë markën, targat, tipin, datën e regjistrimit dhe vlerën e saktë të pagesave.

Prokuroria konfirmon hetimet
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Insajderin se ka lëshuar autorizim për zhvillimin e hetimeve.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për ndërmarrjen e veprimeve shtesë hetimore nga Administrata Tatimore e Kosovës. Aktualisht, jemi ende në pritje të raportit lidhur me këtë çështje,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Në anën tjetër, ATK-ja është rezervuar në dhënien e detajeve për këtë hetim, duke deklaruar shkurt se nuk mund të japin informacione pasi “rasti është duke u trajtuar nga prokuroria”.
Biznesmeni Astirt Çitaku pranon se është intervistuar nga ATK
Astrit Çitaku, i cili njihet si njeri i afërt i Sami Lushtakut në një prononcim për Insajderin ka konfirmuar se është kontaktuar nga hetuesit, por ka mohuar akuzat për mashtrim apo parregullsi tatimore.
I pyetur për veturat e blera përmes kompanisë “EBA”, Çitaku ka dhënë një sqarim interesant duke mos iu kujtuar sa vetura i ka blerë nga autosallonet.
“Nuk ka pasur asnjëherë vetura dhe nuk ka në emër të EBA. Ndërsa si person fizik, po,” ka deklaruar ai, duke shtuar se nuk e mban mend saktë numrin e veturave të blera në sallonet “Sherreti” dhe “Alberti”.
Çitaku ka konfirmuar se është kontaktuar nga ATK lidhur me hetimet por mohon akuzat për mashtrim.
“Nuk ka mashtrim, të gjitha veturat janë blerë me kontratë dhe pagesa është bërë me fatura. Të gjitha tatimet janë të paguara.”
Në muajin mars, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka njoftuar publikisht se ka emëruar si këshilltar të jashtëm biznesmenin dhe njeriun e tij të afërt, Astrit Çitakun.










