Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e kaluar në lagjen “Erdogan” në qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, raporton Top Channel.
Sipas burimeve, viktima ka qenë në këmbë në momentin kur është qëlluar me shtatë plumba, teksa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti. Sipas të dhënave paraprake, ai ka hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari kishte parkuar automjetin e tij.
Edhe pse viktima ka tentuar të largohet, autori i dyshuar e ka ndjekur dhe e ka qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës ku banonte.
Sipas raportimit të Top Channel, i plagosur rëndë, 40-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Burime nga hetimet bëjnë të ditur se viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi jetonin në të njëjtën lagje.
Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka shoqëruar në komisariat nënën dhe vëllain e autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij janë duke vazhduar.
Policia po heton disa pista që mund të çojnë në zbardhjen e motivit të krimit, përfshirë edhe të shkuarën e viktimës jashtë vendit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 40-vjeçari kishte gjithashtu precedentë penalë.








