Prokuroria belge ka kërkuar këtë javë dënime me burg për dy shtetas rumunë të përfshirë në një nga ngjarjet më të mistershme të muajve të fundit në Belgjikë – përleshjen me armë në Zellik, ku objektiv ishte një 44-vjeçar shqiptar, i shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar për një vrasje në Shqipëri.
Ngjarja ndodhi muaj më parë, kur tre autorë hapën zjarr ndaj banesës së shqiptarit, i cili u kundërpërgjigj me armë, duke plagosur njërin prej sulmuesve. Pas atentatit, agresorët u larguan me një Citroën C5 që më vonë u gjet i djegur në Oudenaarde. I plagosuri përfundoi në një spital në Holandë, i transportuar nga dy rumunët me një Porsche Cayenne.
Sipas prokurorisë, roli i dy të rinjve ka qenë ndihmës: të gjenin një vend për djegien e makinës dhe të ndihmonin autorët të largoheshin. Për ta kërkohen 2 vite burg, ndonëse mbrojtja mohon çdo përfshirje, duke pretenduar se kishin rënë rastësisht në kontakt me personin e plagosur.
Nga ana tjetër, ndaj autorit të plagosur që më pas u zhduk nga spitali dhe nuk është paraqitur më në gjykatë, është kërkuar një dënim prej 10 vitesh burg. Dy autorët e tjerë të atentatit nuk janë identifikuar ende. Ndërkohë, viktima e sulmit – shqiptari i shumëkërkuar – arriti të largohej nga Belgjika dhe vijon të jetë në arrati.








