Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin amator në Ekuador, ku një gjyqtar është vrarë me armë zjarri gjatë drejtimit të një ndeshjeje. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa rrethanat tregojnë për një sulm të planifikuar.
Sipas të dhënave paraprake, viktima është identifikuar si Havier Ortega, 48 vjeç, gjyqtar me përvojë në futbollin amator. Ngjarja ndodhi në Pasahe, në provincën El Oro, gjatë një ndeshjeje që po zhvillohej në prani të disa spektatorëve.
Dëshmitarët në vendngjarje raportojnë se disa persona të armatosur kanë hyrë në fushë dhe kanë rrethuar gjyqtarin, duke qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri. Ortega ka rënë menjëherë në tokë.
Pas të shtënave, paniku ka përfshirë fushën dhe tribunat. Lojtarët dhe spektatorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa autorët e dyshuar janë arratisur para mbërritjes së policisë.
Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje, por mjekët nuk kanë mundur të shpëtojnë jetën e 48-vjeçarit, i cili është shpallur i vdekur në vend.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas autoriteteve, rasti nuk konsiderohet si incident i rastësishëm, por si një atentat i mirëfilltë me objektiv të qartë viktimën.
Identiteti i autorëve dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.









