Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka vazhduar me akuza të ashpra ndaj ish-kryetarit të kësaj gjykate, Enver Hasani.
Ai ka shkruar në “Facebook” se tha se Hasani ka problem me egon pasi nuk ka qenë as pjesë periferike e procesit të hartimit të kushtetutës.
“E rishikova intervistën e Enver Hasanit. Çka të them? Enver Hasani nuk e ka shkruar kushtetutën dhe nuk ka qenë as pjesë periferike e procesit të hartimit të saj. Dhe ky fakt egos së tij i ka shkaktuar probleme të mëdha”, tha ai.
Kryeziu madje tha se Hasani nuk është mirë dhe se ka probleme mendore.
“Seriozisht ndihem keq pse nga mllefi e kam sharë këtë njeri, sepse tani jam plotësisht i bindur që Enver Hasani ka probleme serioze mendore. Ai thjesht nuk është mirë. Në mendjen e tij ai jeton në një univers paralel ku ai vërtet është “Baba” dhe ku adhurohet nga të gjithë, ku ai vërtet e ka shkruar kushtetutën dhe ku ekziston kushtetuta e tij paralele. Thjesht për keqardhje. Për ju që nuk e kuptoni çka po them: kushtetuta paralele e Enver Hasanit është ajo për të cilën ai foli te emisioni i Adriatik Kelmendit. Kjo është kushtetuta ku Kosova është shtet i ngjashëm me Bosnjën. Kjo nuk është kushtetuta që e kemi shkruar ne”, ka shkruar Kryeziu.









