Shtetet e Bashkuara kanë kryer një goditje të drejtpërdrejtë në Karaibet jugore duke shkatërruar një mjet lundrues që sipas Uashingtonit transportonte drogë nga Venezuela. Lajmi u bë publik fillimisht nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili e quajti “një goditje vdekjeprurëse ndaj një anijeje të operuar nga një organizatë narco-terroriste e shpallur zyrtarisht”.
Presidenti Donald Trump e përforcoi mesazhin nga Zyra Ovale duke deklaruar se “forcat tona sapo qëlluan një varkë të mbushur me drogë, që vinte drejtpërdrejt nga Venezuela”. Trump paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi i një serie operacionesh kundër rrjeteve të trafikut ndërkombëtar. “Ka shumë të tjera që vijnë pas kësaj,” tha ai, duke e lidhur aksionin me përpjekjet e administratës së tij për të ndalur furnizimet e narkotikëve drejt SHBA-së.
Operacioni shihet si përshkallëzim i qartë i qëndrimit amerikan ndaj regjimit të Nicolas Maduros dhe karteleve që operojnë nga territori venezuelian. Ky veprim pritet të ndezë tensionet në rajon, ku SHBA ka përqendruar trupa dhe asete ushtarake, ndërsa Caracas ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar.
Ndërkohë, Rubio ka nisur një tur diplomatik në Meksikë dhe Ekuador, ndërsa paralelisht e cilësoi operacionin si dëshmi të vendosmërisë së Uashingtonit për të trajtuar kartelet si organizata terroriste. Ky zhvillim i ri pritet të ngrejë shqetësime jo vetëm në Venezuelë, por edhe në vendet fqinjë, për shkak të mundësisë së destabilizimit të mëtejshëm rajonal.











