Prokuroria Speciale ka ndaluar për 48 orë një të dyshuar lidhur me rastin e njohur si “Rasti i njëmilionëshit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi i të dyshuarit është bërë në vazhdën e hetimeve që po zhvillohen rreth zbardhjes së këtij rasti.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante. Duke pasur parasysh se hetimet janë në zhvillim, Prokuroria Speciale nuk do të japë detaje të tjera në këtë fazë, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e PSRK-së.
Në shkurt të këtij viti, Dogana e Kosovës kishte zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara në një furgon. Paratë ishin gjetur të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni që po hynte nga Serbia në Kosovë.
Lidhur me rastin ishin arrestuar Aurel Kaziu, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj, mirëpo të njëjtit nuk ishin vendosur nën masën e paraburgimit për shkak se sipas arsyetimit të gjykatës, Prokuroria Speciale nuk ishte dorëzuar prova të mjaftueshme për rastin.








