Një 23-vjeçar, shtetas i Kosovës, është arrestuar në ishullin grek të Mikonos pas denoncimit të një 18-vjeçareje italiane, e cila e ka akuzuar atë për përdhunim.
Rasti i rëndë po hetohet nga autoritetet policore greke, ndërsa sipas dëshmisë së 18-vjeçares, ngjarja ka ndodhur në një shezlong në një beach bar të njohur të ishullit, ku ajo ndodhej bashkë me 23-vjeçarin.
CNN-i grek, duke u bazuar në raportimin e “Cyclades24”, raporton se turistja e re dyshohet se kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe, sipas dëshmisë së saj, ishte në një gjendje në të cilën nuk ishte në gjendje të rezistonte.
Sipas denoncimit, 23-vjeçari dyshohet se ka përfituar nga gjendja e saj dhe ka kryer akt seksual pa pëlqimin e saj.
Pas denoncimit, policia greke nisi hetimet për lokalizimin dhe identifikimin e personit të përmendur nga 18-vjeçarja.
Autoritetet arritën ta identifikojnë 23-vjeçarin, shtetas i Kosovës, i cili u lokalizua në zonën e Platis Gialos dhe u arrestua.
I arrestuari pritet të dalë para autoriteteve kompetente të prokurorisë, ndërsa rasti tashmë është në duart e drejtësisë.








