Autoritetet amerikane kanë arrestuar një shtetas irakian 32-vjeçar, i dyshuar për lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupe militante pro-iraniane, pasi dyshohet se kishte planifikuar një atentat ndaj Ivanka Trump.
Sipas mediave amerikane, i dyshuari kishte siguruar plane të shtëpisë së Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Florida dhe kishte publikuar mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale, duke paralajmëruar “hakmarrje” për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në vitin 2020.
32-vjeçari u arrestua në Turqi më 15 maj dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për disa sulme dhe tentativa sulmesh në SHBA dhe Evropë.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në incidente të dhunshme ndaj objekteve amerikane dhe hebraike, përfshirë sulme në Londër, Toronto dhe Amsterdam.
I dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim në Bruklin, ndërsa hetimet ndaj tij po vazhdojnë.









