Një 49-vjeçar nga Kosova raportohet të jetë arrestuar në Krasovici, në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi.
B.B., nga Nerodimja e Poshtme e Ferizajt, ishte i kërkuar nga Interpoli, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.
Sipas raportimeve të mediave kroate, ai akuzohet për krime lufte.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar për Klankosova.tv se, bazuar në informacionet fillestare, personi nuk figuron në listat e veteranëve.
“Për personin për të cilin ju po interesoheni, bazuar në verifikimet që kam bërë deri më tani, nuk figuron në listat e zonës së Nerodimës. Po ashtu, kam hulumtuar edhe në zonën e Kosharës, as aty nuk ka ndonjë person me këtë emër. Pra, 99 për qind ky nuk është veteran, nuk ka përfituar certifikatë të veteranit”, deklaroi Syla.
Syla ka bërë të ditur se ka kontaktuar edhe me kryetarin e OVL-së në Ferizaj, por as ai nuk ka gjetur ndonjë të dhënë që e lidh personin me listat e veteranëve.
“Kam kontaktuar edhe me kryetarin e OVL-së në Ferizaj, as ai nuk ka gjetur diçka. Por, ne do të vazhdojmë verifikimet lidhur me rastin”, deklaroi numri dy i OVL-UÇK-së.








