Një ish-ushtar i UÇK-së, është ndaluar në territorin e Serbisë gjatë pasditës së sotme.
Gazmend Syla nga OVL-UÇK tregoi se bëhet fjalë për Mithat Llozhanin ish-ushtar i UÇK-së nga Peja.
Detaje për rastin dha edhe avokati Koci.
“Sot, rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër Serbi, u ndalua dhe u arrestua nga policia serbe shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani.
Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori.
Këto arrestime duhet të ndalen.
Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë.
Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij.”, shkroi Koci








