Dosja e Prokurorisë për rastin e bixhozit ilegal ndaj 19 të dyshuarve zbardh edhe dëshmi konkrete të personave që kanë qenë prezent nëpër lokale apo të përfshirë në mënyra të ndryshme.
Sipas dosjes së siguruar në dëshminë e A.M të dhënë më 19 prill 2026 në polici, ai ka deklaruar se ka punuar si punëtor në një lokal të njohur si “te kafja”, në pronësi të vëllait të tij, A.M. Ai thekson se biznesi ka funksionuar që nga muaji i Ramazanit dhe mohon përfshirjen në organizimin e bixhozit, duke insistuar se roli i tij ka qenë vetëm si punëtor.
Tutje, dëshmia e S.B deklaron se më 18 prill 2026 kishte qenë në lokalin “New York” së bashku me një shok, ku kishin pirë kafe dhe kishin luajtur lojën “Multi Game7.com” përmes telefonit. Sipas tij, paratë për lojë i kishte dhënë shoku i tij, i cili ia kishte dorëzuar një personi të identifikuar si Arbër.
Edhe dëshmitari F.R konfirmon të njëjtën skemë, duke deklaruar se në të njëjtin lokal kishte luajtur në platformën “Multi Game7.com” dhe kishte paguar 10 euro për pjesëmarrje.
I.P, i cili punon në lokalin “N Peron”. Ai tregon se klientët shkojnë aty për të vendosur baste përmes telefonave, ndërsa punonjësit ose “shefat” ua mbushin llogaritë. Sipas tij, personat përgjegjës janë Behxhet Syla dhe Lavdim Mehmeti, duke sugjeruar një organizim të strukturuar brenda lokalit.
Në anën tjetër, dëshmitari F.I ka deklaruar se që nga 1 prilli 2026 ka filluar punë në lokalin “Caffe Time”, në pronësi të Mensur Selmanit, por sipas tij, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur organizim të lojërave të fatit në atë lokal.









