“Armiku yt kryesor janë miqtë e tu”. E kam dëgjuar ta përsërisin këtë frazë ekspertë të shquar amerikanë të Lindjes së Mesme. E përdorin për dy figura shumë të ndryshme: Khamenei dhe Trump. Ajatollahu, që është udhëheqësi suprem i Revolucionit Islamik, ka më shumë arsye të ketë frikë nga populli i tij sesa nga Izraeli apo Amerika. Regjimi ka tradhtuar të gjitha premtimet e veta (përfshirë atë të sigurisë së brendshme nga agresionet) dhe herët a vonë do t’i duhet të paguajë një çmim.
E njëjta frazë i përshtatet edhe Trump-it: armiku i brendshëm mund të fshihet në Pentagon apo në shërbimet e inteligjencës, duke parë sa shpejt disa “gojë të thella” shpërndanë vlerësime për pasojat e bombardimeve në Iran që zhbëjnë, madje edhe qesharakëzojnë, triumfalizmin e presidentit. Ose, sipas një versioni tjetër, “armiku i brendshëm” është aleati i tij Benjamin Netanyahu, i cili edhe një herë tregoi se është në gjendje të ndikojë dhe madje të devijojë politikën amerikane.
Po ju përmbledh këtu disa vlerësime që kam mbledhur kryesisht ndërmjet gjeneralëve amerikanë, diplomatëve, studiuesve të Lindjes së Mesme (disa prej të cilëve me origjinë iraniane), gjatë një sërë seminarësh të organizuar nga Middle East Institute në Uashington, një qendër kërkimore e themeluar në vitin 1946, më e vjetra në Amerikë që merret ekskluzivisht me këtë rajon. Mund të konsultoni listën e plotë të ekspertëve, përfshirë ata ushtarakë, dhe transkriptimet e plota të dëshmive të tyre në faqen www.mei.edu. Ja pikat kryesore:
Armëpushimi Izrael-Iran është vetëm kaq dhe asgjë më shumë: një ndalesë shumë e përkohshme në të cilën secila palë përgatitet për fazën e ardhshme të luftës.
Shkalla e shkatërrimit të objekteve bërthamore të shkaktuara nga sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është ende në masë të madhe e panjohur dhe do të mbetet e tillë për njëfarë kohe. Në çdo rast, është e pamundur që të ketë vendosur një fund përfundimtar të programit bërthamor iranian, përveç nëse është vetë Irani që e vendos këtë në një tryezë negociatash. Gjithsesi, fakti që në Amerikë qarkulluan menjëherë vlerësime minimaliste për ndikimin e bombardimeve (ndoshta të parakohshme, sigurisht të nxituara) tregon se Trump, megjithëse ka emëruar shumë besnikë, është ende i rrethuar nga armiq brenda forcave të tij të armatosura dhe/ose në inteligjencë. Kundër-pushtete ose Deep State, secili mund të përdorë termin që preferon, por fakt është që disa e kundërshtojnë politikën e tij të jashtme nga brenda.
Për momentin, propaganda e Teheranit është përqendruar në këtë mesazh: kemi rezistuar ndaj sulmeve të fuqishme të Izraelit dhe Amerikës, jemi ende në këmbë, prandaj kemi fituar ne. Në afat të shkurtër, ky është një pretendim i justifikueshëm në dritën e deklaratave (kontradiktore) të ardhura nga Tel Avivi dhe Uashingtoni për rrëzimin e regjimit. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, nuk është e thënë që kjo të ndalojë rënien e legjitimitetit të një regjimi që duket se është shumë më i interesuar për mbijetesën e vet sesa për mbrojtjen e popullit persian nga çdo lloj vuajtjeje (nga vështirësitë ekonomike të përkeqësuara nga korrupsioni, tek represioni dhe abuzimet me të drejtat e njeriut, tani shtohen edhe raketat mbi Teheran).
Për aq kohë sa regjimi mbijeton dhe kjo mbijetesë shihet si një lloj fitoreje, është shumë e pamundur që ai të pranojë të negociojë sipas kushteve të vendosura nga Trump: heqje e plotë dorë nga programi bërthamor. Nga këndvështrimi i Teheranit, ky kusht barazohet me një kapitullim. Një krah i ashpër i regjimit shiit madje akuzon Khamenein se ka treguar shumë kujdes në të kaluarën, dhe argumenti i “sokolëve” është: “Nëse do ta kishim tashmë Bombën, nuk do të ishim në këtë pikë.”
Vetëm 40 ditë më parë, nga 13 deri më 16 maj, Trump kishte vizituar Gjirin Persik, me ndalesa në Arabinë Saudite, Katar, Emiratet e Bashkuara. Kishte injoruar Netanyahu-n, duke mos përfshirë Tel Avivin në atë tur që përfaqësonte nisjen e politikës së jashtme të presidentit të 47-të. Aleanca me fuqitë sunite arabe të Gjirit dukej se dominonte politikën e Lindjes së Mesme të kësaj Administrate, në funksion të interesave ekonomike. Jo rastësisht menjëherë pas kësaj, Trump nisi negociatat me Iranin, në përputhje me preferencat e princit saudit Mohammed bin Salman (MbS).
Me sulmin ndaj Iranit, Netanyahu rifitoi epërsinë dhe detyroi Trump-in të rreshtohej sërish krah tij. Aftësia e Izraelit për të ndikuar vendimet e SHBA-ve është shumë më e madhe sesa anasjelltas. Në sytë e shumë liderëve të Lindjes së Mesme, sot është Netanyahu “mashkulli alfa” dominues, ndërsa Trump përfundon duke e ndjekur.
Pas humbjes më të rëndë të historisë së saj më 7 tetor 2023, me reagimet e saj të mëvonshme Izraeli është imponuar në mënyrë të padiskutueshme si fuqia hegjemonike e të gjithë Lindjes së Mesme. Ka shkëputur nga sfera e ndikimit të Iranit dy shtete të rëndësishme, Libanin dhe Sirinë. Çfarë do të bëjë me këtë hegjemoni, mbetet për t’u parë. Amerika pati fazën e saj hegjemonike në një botë unipolare, pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989; nuk arriti ta përdorte mjaftueshëm mirë për të zgjatur jetëgjatësinë e saj dhe më 11 shtator 2001 ajo fazë mund të konsiderohej e përfunduar.
Fuqitë arabe sunite dhe konservatore, në Gjirin Persik dhe përreth, deri tani kanë përfituar nga politikat e tyre të shkrirjes diplomatike me Iranin, pasi në përgjithësi janë kursyer nga hakmarrjet dhe kundërpërgjigjet. Në të njëjtën kohë, është konfirmuar varësia e tyre ushtarake nga mbrojtja e Shteteve të Bashkuara.
Ka një mësim që vlen edhe për krahun evropian të NATO-s. Përballë paparashikueshmërisë amerikane, duhet të shpenzohet më shumë për t’u mbrojtur; për më tepër, duhet të shpenzohet në mënyrë më efikase, duke rritur koordinimin, bashkëpunimin dhe integrimin ndërmjet aleatëve.
Efekti i trefishtë i veprimeve të ndërmarra nga Irani (sidomos me mbështetjen për masakrën e Hamasit më 7 tetor 2023), Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara është ai i zhdukjes së niveleve të besimit të të gjithëve ndaj të gjithëve. Lindja e Mesme ka hyrë në një epokë “sipas Thomas Hobbes”, të dominuar nga raportet e forcës.
Kjo vlen edhe për çështjen e armëve bërthamore. Epoka e traktateve të mos-përhapjes, të shoqëruar nga regjime inspektimi ndërkombëtar, ishte tashmë e vjetruar prej kohësh. Tani kemi hyrë në një epokë ku mos-përhapja bërthamore ndiqet jo përmes negociatave që çojnë në marrëveshje, por përmes punës së shërbimeve të inteligjencës, zbulimit të planeve të fshehta, ndërhyrjes ushtarake për të shkatërruar ose bllokuar qasjen në armët bërthamore. “Corriere Della Sera”






