Dikush mund të mos e lidhë lehtësisht Donald Trumpin me Oto Von Bismarkun. Megjithatë, ashtu si Kancelari i Hekurt, i cili ishte i famshëm për ndjekjen e realpolitikës të “gjakut dhe çelikut” në ndërtimin e Perandorisë Gjermane, edhe Trump ka gjetur formulën e tij, bazuar kryesisht tek njohuritë teknologjike dhe bollëkun energjitik të Amerikës – për të frikësuar armiqtë dhe mbajtur nën kontroll miqtë.
Presidenti i SHBA-së njoftoi të hënën në mbrëmje, se Izraeli dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim pas një lufte intensive 12-ditore, megjithëse mëngjesin e të martës Izraeli e akuzoi Teheranin për shkelje të menjëhershme të tij, përmes një sërë sulmesh me raketa që shkaktuan të tjerë të vrarë dhe të plagosur.
Ndërsa konflikti kërcënon të rifillojë, politika energjitike mund të jetë një faktor përcaktues. Paralajmërimet e qeverisë iraniane se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit, nuk e dekurajuan Uashingtonin. Dikur kërcënime të tilla do ta kishin tmerruar një Amerikë, që vetëm dy dekada më parë ishte importuesja më e madhe e naftës në botë.
Sot, panorama është shumë ndryshe. Kryesisht falë teknologjisë së re të nxjerrjes, Amerika është aktualisht prodhuesja kryesore e naftës dhe gazit në nivel global, pjesa më e madhe e të cilit prodhohet në shtete që e mbështetin në shumicë Trumpin, siç është Teksasi.
Pellgu naftëmbajtës i Permianit, i vendosur në shkretëtirat e thata të pjesëve perëndimore të këtij shteti, përbën tani prodhuesin e pestë më të madh të naftës në botë, dhe shumë shpejti pritet të zërë gjysmën e të gjithë prodhimit të naftës në SHBA. Zona të tjera si Pensilvania, ka të ngjarë të përfitojnë nga këto zhvillime.
Përtej Atlantikut, pjesa më e madhe e ndikimit në rënie të Evropës, vjen nga përqafimi i saj shkatërrues i politikave të zero ndotjeve në atmosferë. Britania, dikur një fuqi e madhe energjetike, e ka ulur me 2/3 prodhimin e mëparshëm të lëndëve djegëse fosile që nga fillimi i këtij shekulli, teksa konsumi ka rënë vetëm me 1/3.
Ky vend, varet gjithnjë e më shumë nga importet nga jashtë BE, edhe pse rreth 25 miliardë fuçi mbeten të pashfrytëzuara në Detin e Veriut. Vende të tjera evropiane, sidomos Gjermania, vuajnë nga e njëjta dilemë, pasi çmimet e larta kanë dëmtuar ekonomitë industriale dikur të fuqishme.
Pjesa më e madhe e kontinentit, e ka zhvendosur varësinë e saj nga nafta dhe gazi rus tek prodhuesit e Gjirit Persik, siç është Katari, një vend që vazhdimisht ka financuar radikalizmin islamik. Ndërkohë, i vetmi shtet në Amerikë që e importon pjesën më të madhe të naftës bruto nga vendet e huaja është Kalifornia hiper-liberale.
Ndërsa Evropa duket e varur nga konfliktet e Lindjes së Mesme, një avantazh tjetër i rëndësishëm që ka Trump është teknologjia ushtarake dhe sistemet e përparuara të mbrojtjes. Kjo përfshin gjithçka, nga teknologjia e fshehtë, siç po shihet nga suksesi i sulmit të së shtunës me avionët B-2 ndaj objekteve bërthamore të Iranit, deri tek zhvillimi i sistemeve të bazuara në Inteligjenca Artificiale, si Anduril dhe Palantir.
Edhe më i rëndësishëm në planin afatgjatë, mund të jetë dominimi në hapësirë. Ndonëse NASA e ka humbur peshën e saj, kompanitë e gjeneratës së re, përfshirë Space X të Musk, e kanë mbajtur SHBA-në në krye në lidhje me zhvillimin e platformave të reja ushtarake.
Sipas disa burimeve, anijet kozmike të ripërdorshme të SpaceX, mund t’i lejojnë forcat amerikane të vendosen kudo në botë brenda një ore. E gjithë kjo pasuri teknologjike dhe burimesh, i jep Trumpit llojin e fuqisë që i dhanë dikur Britanisë së Madhe Marina dhe Perandoria në kulmin e saj.
Apo aftësinë industriale dhe ushtarake gjermane që përdori Bismarku për ta çuar kombin e tij në kulmin e fuqisë evropiane. Shkeljet e hershme të armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit, sugjerojnë se Trump mund të mos jetë strategu i shkëlqyer që pretendon.
Megjithatë, ai sundon një vend, i cili nën një udhëheqje agresive mund ta imponojë lehtësisht vullnetin e tij. Siç e tha dikur vetë Kancelari i Hekurt: “Zoti ka një rezervuar një fat të veçantë për budallenjtë, pijanecët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.
Shënim: Joel Kotkin, bashkëpunëtor në Institutin Civitas, Universiteti i Teksasit, SHBA






