Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani pas vendimit për shpërndarjen e kuvendit.
Sipas Bajqinovcit, presidentja bëri gabim të rëndë dhe jo kushtetues me shpërndarjen e Kuvendit.
‘’Formalisht në vitin 2026 por ende jemi në vitin 2025. Pse? I njëjti grupacion, tash me disa transfere të reja që do të zbulohen ditë e më shumë. E mbani mend vitin e kaluar kur bllokohej Albulena por s’ishte për Albulenën, sepse me bllokimin e Albinit dhe të Glaukut u kuptua që ata nuk e duan dot Kurtin dhe VV’në në qeverisje.
Sivjet kanë mundësi ta bllokojnë çështjen e presidentit. Por është e njëjta kauzë e tyre, nuk e duan Kurtin. E keni parë gjithë ato propozime që i bëm për opozitën gjatë kësaj kohe, dhe morëm veç një përgjigje ‘’jo’’. Kjo është alternativa opozitare sot, vetëm ‘’jo’’. As nuk propozonin emra, as nuk pranonin emra, as nuk jepnin nënshkrime as për presidente aktuale se lërë më votën. E Presidentja me shpërndarjen e kuvendit bëri një gabim të rëndë dhe jo kushtetues, dhe doli në anën e gabuar nëse tashmë nuk ka qenë, por me reagimet e sotme që dolën në mbështetje të shpërndarjes së kuvendit, skema duket kogja më e madhe ajo që po shpaloset me shpejtësi’’, ka thënë ai.









