- Shkruan Spartak Ngjela
Gjithçka po ecën në favor të shqiptarëve. Prandaj ne tani mund të themi se mbaroi lufta antinjerëzore kundër shqiptarëve e cila ka ecur si e tillë në mbi 100 vite resht.
Por Shqipëria dhe vetë shqiptaria tani kanë shpëtuar, dhe prandaj ndërkohë ajo është duke ecur me sukse drejt rrugëtimit të saj historik.
Kurse kundërshtarët historik të shqiptarëve ende nuk po e durojnë dot përparimin e shqiptarëve në dy shtetet shqiptare, por tani nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.
Dhe po shihet se kjo është arsyeja që serbët kanë rënë sot në një heshtje që kuptohet se kjo mund të jetë një heshtje artificiale, sepse ata nuk i ka tulatur aleanca e ngushtë Tiranë – Uashington.
Por ndërkohë po kuptohet se pengesa e shqiptarisë tani nuk është më te sllavët e te grekët, por është te kryeministri i Shqipërisë, i cili, kur erdhi në pushtet, e konsideroi të lehtë ndihmën e tij për sllavët.
Por kur e pa Rama se ajo rrugë do ta degdiste në emigracion, ndryshoi dhe nuk po i sjell më amerikanëve asnjë pengesë në zhvillimin e tyre për forcimin e Shqipërisë, si një shtet nën influencë të plotë amerikane.
Dhe prandaj na duhe ta theksojmë sërish që, politika amerikane e ka sot domosdoshmëri aleancën e ngushtë me Shqipërinë. Por deri para një viti këtë aleancë e çorientonte politika e Edi Ramës.
Kurse tani Rama është kthyer atje ku duhet edhe pse kuptohet që këtë kthesë ai nuk e ka brenda natyrës së tij politike.
Gjithsesi unë mendoj se politika amerikane duhet ta shohë me vëmendje politikën e Tiranës në funksion të Shqipërisë dhe Kosovës, sepse tani është koha kur të dyja shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, nuk po gjejnë dot ende një gjuhë të përbashkët në lidhje me marrëveshjen e ngushtë politike Shqipërisë- Kosovë.
Dhe kjo marrëveshje duhet kuptuar se është një doktrinë për bashkimin kombëtar sipas konceptit federalist.






