Për vite të tëra, Përparim Rama ka mbajtur një distancë të prerë publike nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke këmbëngulur se fitorja e tij në Prishtinë ishte fryt i një partneriteti dhe jo i një përkatësie partiake.
Megjithatë, sot, në një kohë kur brenda LDK-së po hartohen vija të reja të ndarjes midis mbështetësve të Lumir Abdixhikut dhe zërave që shohin Ramën si liderin e ardhshëm të partisë, kreu i Prishtinës ka hedhur hapin e papritur.
“Unë veç jam pjesë e LDK-së”, deklaroi sot Rama, duke përmbysur me një fjali të vetme qëndrimin e tij disavjeçar: “Normal që kam garuar me LDK-në… por nuk jam anëtar i partisë.”
Këtë deklaratë Rama e dha pasi u pyet nga gazetarët se “përse nuk po bëheni pjesë e LDK-së”.
Gjatë fushatës dhe marrjes së mandatit, Rama u prezantua si arkitekti përtej partive.
Sipas marrëveshjes fillestare me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndarja e punëve ishte e qartë: “Ti merru me parti, unë po merrem me kryeqytetin”. Qëllimi ishte udhëheqja e Prishtinës pa pasur nevojë për ndonjë intervenim apo ndasi partiake.
Edhe pasi ishte ulur në karrigen e të parit të Prishtinës nën logon e LDK-së, Rama insistonte në statusin e tij si i pavarur. Ai deklaronte: “Jam partner i ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, po nuk jam anëtar i partisë.”
Çfarë deklaroi ditë më parë Abdixhiku për Përparim Ramën?
Para kësaj kthese, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, komentoi zërat për ambiciet e mundshme të Ramës për të marrë drejtimin e partisë. Abdixhiku deklaroi se çdo ambicie e pasuron partinë, por i kujtoi Ramës periudhën kur u përzgjodh për të kandiduar.
“Unë kam besuar që z. Rama i shërben Prishtinës, prandaj e kam sjellë kur nuk e ka njohur askush. E kam sjellë, kam dalë me të nëpër çdo degë e nëndegë të Prishtinës kur e kanë sharë të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai zbuloi edhe prapaskenat e takimeve me figurat kryesore të LDK-së në atë kohë, duke treguar se ata nuk e njihnin Ramën:
“Kur e kam takuar në fillim Gazin, Imrin, Antonin e Lutën, kanë thënë: ‘Kush?’. Gazi më tha: ‘Po më duket e kam njohur në vitin 2004, s’di a është ai’. Pastaj kam dalë në çdo degë e nëndegë të LDK-së… Logjika ime ka qenë ‘hajde t’i forcojmë komunat’… t’i fitojmë komunat një herë e më pas ju të punoni për neve, që ne të fitojmë e ta ngremë LDK-në më lart.”








