Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të gjejnë rrugën drejt kompromisit dhe të sigurojnë funksionimin e institucioneve shtetërore.
Gjatë pritjes zyrtare të organizuar me rastin e Festës Kombëtare franceze në Kosovë, ku ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadori Guerot theksoi se për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes të Kosovës, vendi ka nevojë për një Kuvend funksional dhe një Qeveri të mbështetur nga ai Kuvend.
“Jam shumë i kënaqur dhe krenar për punën e kryer nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila, në 18 muajt e saj në Kosovë, ka zhvilluar tashmë disa projekte shumë ambicioze. Janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi midis AFD-së dhe ministrive. Pres me padurim finalizimin e kësaj pune, e cila arrin në dhjetëra milionë euro. Kjo më sjell te mesazhi im i dytë, i drejtuar me respektin më të madh udhëheqësve politikë të Kosovës, këtij vendi mik të Francës”.
“Për të nënshkruar dhe ratifikuar këto marrëveshje, na duhet një kuvend dhe na duhet një qeveri e mbështetur nga ky kuvend. Qeveritë miqësore me Kosovën, përfshirë qeverinë franceze, kanë nevojë për partner për te ecur përpara dhe për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Dhe integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja”.
“Më lejoni të ju bëjë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në këtë vend, pa përjashtim, pavarësisht nga partia e tyre apo komuniteti që përfaqësojnë. Një thirrje që ata të gjejnë rrugën e tyre drejt kompromisit, të gjejnë rrugën e tyre për të dalë nga ngërçi me të cilin asnjë votues nuk është i kënaqur. Një thirrje për ta që të gjejnë mënyra për të siguruar funksionimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Guerot.
Ai u shpreh se Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrahë Kosovës.
“Franca ka qenë, është dhe do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjithë diversistetin e saj, përkrah të gjitha komuniteteve që përbejnë shoqërinë kosovare. Gjatë vitit të kaluar, Ambasada ka shtuar përpjekjet e saj për shoqërinë civile. Në veçanti, ne kemi vazhduar punën tonë në mbështetje të OJQ-ve feministe. Nuk kam frikë nga fjala, sepse Franca zhvilloj diplomaci feministe në Kosovë dhe të të gjithë botën”.
“Gjatë katër viteve të fundit, Franca ka qenë një nga donatorët kryesorë ndërkombëtarë në këtë fushë, duke mbështetur 1 mijë e 400 asociacione. Puna jonë këtu në Kosovë është pjesë e një iniciativë gjithëpërfshirëse të bazuar në dinjitetin e individit, pavarësisht nga gjinia, feja apo besimi, përkatësia, komunitetit apo orientimi seksual”, tha ai.






