Ambasadori francez me mesazh për Kosovën: Dialogu me Beogradin esencial për stabilitetin dhe rrugën drejt BE-së

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të agjendës strategjike të Evropës, duke u shndërruar tashmë në një domosdoshmëri gjeopolitike.

Duke folur në Prishtinë në kuadër të diskutimit “Qëndrimet e kryeqyteteve evropiane ndaj zgjerimit: perspektivat, prioritetet dhe rruga e Kosovës drejt BE-së”, Huchet tha se për vite me radhë zgjerimi është trajtuar kryesisht si një çështje teknike. Megjithatë, sipas tij, lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar qasjen ndaj këtij procesi.

Sipas ambasadorit francez, projekti evropian është mbi të gjitha një projekt i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në kontinent.

“Zgjerimi është bërë domosdoshmëri gjeopolitike, mënyrë e përafrimit të Ballkanit Perëndimor fuqishëm brenda Evropës”, tha Huchet.

Ai theksoi se Franca mbështet një proces zgjerimi të bazuar në merita, duke nënvizuar se paralelisht duhet të përgatitet edhe vetë Bashkimi Evropian, përfshirë institucionet, politikat dhe buxhetin e tij, për një anëtarësi më të gjerë.

Huchet: Rruga evropiane e Kosovës duhet të diskutohet edhe brenda vendit

Duke folur për Kosovën, ambasadori francez tha se rruga e saj drejt Bashkimit Evropian duhet të diskutohet edhe brenda vetë Kosovës, e jo vetëm në kryeqytetet evropiane.

“Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, ka aplikuar për anëtarësim, qytetarët kanë marrë udhëtimin pa viza në zonën Schengen, një arritje shumë konkrete evropiane”, tha ai.

Megjithatë, Huchet vlerësoi se rruga përpara kërkon reforma të qëndrueshme në sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve dhe angazhim të vazhdueshëm në dialogun me Beogradin.

Ai tha se dialogu me Beogradin mbetet esencial për stabilitetin rajonal dhe për trajektoren evropiane të Kosovës.

“Franca qëndron e gatshme që ta përcjellë këtë proces si partner dhe si mik i Kosovës”, u shpreh Huchet, duke përmendur edhe vizitën e fundit në Prishtinë të ministrit francez Benjamin Haddad.

Siguria energjetike, pjesë e rëndësishme e zgjerimit

Ambasadori francez foli gjithashtu për rëndësinë e sigurisë energjetike, duke thënë se ajo tashmë është e pandashme nga procesi i zgjerimit të BE-së.

Sipas tij, çështje të tilla si siguria e furnizimit me energji, dekarbonizimi, modernizimi dhe integrimi në tregjet evropiane kërkojnë bashkëpunim rajonal, tregje të integruara, infrastrukturë dhe investime.

Huchet theksoi se këto çështje nuk mund të zgjidhen nga një vend i vetëm, por kërkojnë një qasje të përbashkët evropiane dhe rajonale.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit